Mrekulli: Babai me dy djemtë shpëtohen pas 76 orëve të kaluara nën rrënoja në Turqi

Më shumë se 76 orë pas tërmetit shkatërrues të së hënës që goditi Turqinë jugore, tre burra dolën të gjallë dhe të padëmtuar nga rrënojat në qytetin e Gaziantep pasi të afërmit dhe fqinjët iu bashkuan operacionit për t’i shpëtuar.

Mithat Tabur dhe djemtë e tij Ersin, 30 vjeç dhe Mustafa, 26 vjeç, u shpëtuan nga rrënojat e një pallati tetë-katësh në periferi të qytetit të Ibrahimlit pasi ekipet e kërkimit i zbuluan në atë që kishte mbetur nga dhoma e tyre e ditës, shkruan CNN, transmeton aljmi.net.

Gruaja e Tabur, Ayer, ishte vendosur në kuzhinë pa shenja jete.

Ekipet e shpëtimit tani po përpiqen të nxjerrin trupin e saj nga nën rrënojat.

Më shumë se 100 njerëz jetonin në ndërtesën e tyre dhe afërsisht një e katërta e banorëve dolën të gjallë.

Omer Kocok, një i afërm i të mbijetuarve, i tha CNN të mërkurën herët se kushërinjtë e tij ishin në gjendje të lidhnin kontakte me ekipet e shpëtimit përmes telefonatave  – duke u dhënë atyre shenja jete.

“Ersin ishte ai që na thirri për ndihmë”, tha Omer për CNN.

Omer doli vullnetar për të gërmuar, duke ndihmuar punonjësit e shpëtimit në punën e tyre të mundimshme të shoshitjes së rrënojave.

Ndryshe, deri tash, numri i viktimave nga tërmeti në Turqi e Siri ka shkuar në mbi 21 mijë.

Lexo edhe:  Bahtiri plas bombën – Si përfundoi në shtëpinë e Radojçiqit në veri, bashkë me Haradinajn e Rakiqin?