Naftëtarët në Kosovë abuzuan me çmimin e derivateve, Qeveria kthen masat mbrojtëse

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.

Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy centë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 centë për litër.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga monitorimi i rregulltë i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

MINT ka theksuar se me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.

“Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër. Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Lexo edhe:  Vendos Skenderaji – Sami Lushtaku skalitet në bronz, kjo është arsyeja pse ai është pjesë e përmendores