LAJMI I FUNDIT: Pas tërmeteve, Osmani autorizon dërgimin e Forcës së Sigurisë për ndihmë në Turqi
Shteti i Kosovës pritet t’i dalë në ndihmë Turqisë pas tërmeteve të fuqishme që shkaktuan mbi 1 mijë viktima deri më tani.
Presidentja Vjosa Osmani ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për ndihmë në Turqi, në tejkalimin e pasojave të tërmeteve të sotme.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme”,thuhet në njoftimin për media.
Tutje Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Kosova do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme.
Më shumë se 2.300 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi të dyja vendet mëngjesin e hershëm të së hënës dhe lëkundjet tjera pas tij.
Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet. Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën.
Numri i të vdekurve në jug të Turqisë u rrit në 1.498, ndërsa i të lënduarve në 7.634 , tha një zyrtar nga Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
Kreu i departamentit të AFAD-it për trajtimin e rreziqeve nga tërmetet, Orhan Tatar, tha në një konferencë për media se 2.834 ndërtesa janë shkatërruar nga tërmeti dhe lëkundjet pasuese të përqendruara në provincën Kahramanmaras, duke theksuar se janë regjistruar edhe 120 lëkundje të tjera pas tërmetit.
Ndërkaq, Siria raportoi për 810 të vdekur.