Vërshohen nga uji Ambulancat Specialistike në Spitalin e Mitrovicës

Pas reshjeve të fundit, uji ka vërshuar dhe Ambulancat Specialistike në Spitalin e Mitrovicës. E për të parë gjendjen nga afër ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi, ka bërë një vizitë në Spitalin e Mitrovicës për të parë se si është situata atje, pasi që uji ka depërtuar në ambulancat specialistike, të cilat funksionojnë në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.

Drejtoresha e Spitalit, Luljeta Buçinca-Zhubi, e ka njoftuar Zejnullahu-Raçi se që nga dje pas reshjeve të pandalshme të shiut, meqë ambulancat ndodhen në bodrumin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, janë vërshuar nga uji.

U.d. drejtoresha Zejnullahi-Raçi, ofroi mbështetje të plotë nga ShSKUK për ta tejkaluar sa më parë këtë situatë.

Në njoftimin e SHSKUK-së thuhet se aktualisht, po punohet nga shërbimet përkatëse të cilat po largojnë ujin dhe se shërbimet shëndetësore ambulantore ortopedike janë ofruar në objektin e Spitalit të Mitrovicës, përderisa Reparti i Pediatrisë që vepron në kuadër të QKMF-së, po vazhdon të ofrojë shërbime mjekësore.
Në objektin e Spitalit ku ndodhen repartet e tjera nuk ka pasur telashe pas vërshimeve.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Rryma e ujit e “përbin” një qen në Janjevë