Banori i Mitrovicës: Serbia më ofroi 300 mijë euro për 5 ari tokë në Lagjen e Boshnjakëve

Për shtëpinë e cila i është djegur para një viti, Xhevat Nuhi nga Lagja e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, thotë se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga niveli lokal apo Qeveria e Kosovës. Megjithatë nga shteti i Serbisë ai thotë se ka marr ofertë 300 mijë euro që ta shesë shtëpinë me 5 ari tokë, ofertë që zotohet se nuk do ta pranojë kurrë. Po në lagjen e boshnjakëve në truallin e shtëpive të blera nga shqiptarët, po ndërtohen banesa kolektive të financuara nga Serbia. Po aty pritet të vijnë qytetarë nga Serbia që nuk dihet nga vijnë e kush janë.

Ka një vit që Xhevat Nuhi nga Lagjja e Boshnjakëve, natën e kalon në një shtrat të improvizuar në një garazhë, në acarin e dimrit e të ftohtit e dyshemesë. Shtëpia në të cilën Nuhi jetonte deri para 11 mujve, është djeguar pothuajse tërësisht. Përkundër ndihmës nga disa donatorë, atij i janë zbehur shpresat.

“Po kanë qenë disa donatorë që më kanë ndihmu. Ka 3 javë që kanë fillu me punu por puna tash është ndërpre, puna është ndërpre. Disa donatorë po thonë kemi festa tash…”, thotë ai.

Për shtëpinë modeste me pesë ari tokë në lagjen e Boshnjakëve, Nuhi thotë se ka marr ofertë marramendëse.

“Më ka thirr njëfar Vllaso mbiemrin nuk e di si e ka, e kam fqinj këtu. Ai më tha hajde shkojmë të qoj te njeri edhe mundesh me shku te noteri edhe me e shit pronën. Nuk e kam shit pronën. Blerësi nuk është privat është Qeveria e Serbisë. Çmimi që më kanë ofruar ka qenë 300 mijë euro”, deklaron Nuhi.

Pak metra tutje Nuhi tregon se në truallin e një fqinji shqiptar, Serbia ka ndërtuar ndërtesë të banimit kolektiv. Aty pritet t’vendosen banorë nga zona të ndryshme të Serbisë.

Lexo edhe:  Fillon takimi i Vuçiq-Escobar në Bruksel

Emir Azemi, banor i kësaj zone, thotë se projekte për kolonizimin e veriut Serbia po realizohen vazhdimisht.

“Për periudhën kohore kur ne po flasim një vjeçare (2022) Serbia ka ndërtuar afër 200 banesa kolektive për refugjatë, ose për serbë ardhacakë, thënë shkur për kolonë të ri. Nëse ju i keni brenda viti 200 banesa, here pesë, i bi rreth 1000 banorë që i sjellin aty. Vetëm në periudhën 2013-2023 Serbia në bazë të asaj që kam unë informacione ka arritë t’i ndërtojë 850-900 banesa”, u shpreh Azemi.

Azemi bënë thirrje që Qeveria e Kosovës të fillojë rindërtimin e mbi 350 shtëpive të djegura në veri, shtëpi që tash e dy dekada shqiptarët nuk kanë mundur t’i rindërtojnë.

Nëse jo Qeveria, niveli komunal në Mitrovicën Veriore po planifikon të punojë në këtë drejtim. Kjo sipas kryesuesit të Kuvendit pas datës 27 janar, kohë kur pritet të funksionalizohet komisioni për komunitete.

“E para kërkesë prej komisionit për komunitete do të jetë ndërtimi i 20 shtëpive dhe nevojat tjera sociale për komunitetet. Sepse në buxhet nuk është është votuar asnjë shtëpi për ndërtim apo rindërtim. Pas kërkesës së Komisionit, Kuvendi Komunal do t’i adresohet Ministrisë për Kthim në menyrë që të zgjidhet problemi i rasteve të tilla”, u deklarua në një përgjigje me shkrim, kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore, Nedzad Ugljanin.

Mes 3 e 4 shkurtit të vitit 2000, përpos që u vranë 10 shqiptarë nga ata që njihen si rojet e urës, u dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, ndërsa u djegën e u shkatërruan qindra shtëpi. Tash e dy dekada përmes frikësimit e pengesave administrative nga komunat, shqiptarët nuk janë lejuar të ri-kthehen në shtëpitë e tyre.

Lexo edhe:  Vr*asja e policit serb: A rrezikohen mërgimtarët kosovarë që kalojnë nëpër Serbi?