Ngjarja tragjike në Prizren, ku u vra një person dhe një tjetër u plagos: Krejt çfarë dihet deri tash

Mëngjesin e së martës në Prizren, pas një përleshje të nisur në lokalin e natës “Kobra City”, nga të shtënat me armë zjarri një person mbeti i vrarë, kurse një tjetër është plagosur, të dy shtetas të Shqipërisë. Sipas prokurorisë konflikti, nisi lidhur me pagesën e faturës së shpenzimeve.

Për ngjarjen tragjike kanë dhënë detaje Policia, Prokuroria dhe avokati i të dyshuarit për vrasjen.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka thënë se dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.

“Në orën 04:10, policia ka marr informatë se ka pasur të shtëna në afërsi të lokalit ‘Kobra City’, në dalje të Prizrenit, rruga Prizren- Kukës. Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre të markës ”Audi”, dyshohet së shtetasi D.H. (Dibran Hoxha), ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.

“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri 31-vjeçari me inicialet V. C., dhe R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi janë plagosur, ku si pasoj e plagëve shtetasi V.C ka vdekur, ndërsa shtetasi R.SH. ka pësuar lëndime trupore dhe është jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë ai.

Lajmi për rastin fillimisht është bërë i ditur nga Policia e Shtetit në Shqipëri. Në njoftimin për media u bë e ditur se viktima që përfundoi me fatalitet është 31-vjeçari me inicialet V. C., ndërsa i plagosuri është R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim

“Në Morinë, rreth orës 04:25, të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit V. C., 31 vjec, dhe R. Sh., 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi A . B., të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C dhe R. SH , ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës”.

“Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhej në njoftim.

Për vrasjen dhe plagosjen e një personi sot në Prizren, gjashtë persona të dyshuar janë intervistuar në Stacionin Policor në Prizren dhe me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë në ndalim policor.

Lajmin  e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se për hetime të mëtejme me rastin do të merret drejtoria për krime të rënda në Prishtinë.

Nexhat Elshani, avokat i Dibran Hoxhës – të dyshuarit për vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi, ka thënë se klienti i tij e ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.

“Ai nuk është deklaruar fare. Është mbrojtur në heshtje. Nuk ka pranuar të japë deklaratë”, ka pohuar avokati Elshani.

Sipas avokatit, seanca gjatë të cilës do të vendoset për masën e sigurisë ndaj të pandehurit do të mbahet nesër (e mërkurë).

Lokali i natës “Kobra City” në Prizren, ku mëngjesin e sotëm nisi një përleshje e cila përfundoi me një të vdekur e një të plagosur, është mbyllur nga Drejtoria e Inspektoratit.

Personi i plagosur pas tretmanit që ka marr në Spitalin e Kukësit, është transportuar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Lexo edhe:  47-vjeçari bashkë me gruan dhe djalin ushtrojnë dhunë ndaj babait 81-vjeçar, përfundojnë në Polici

Gjendja e të plagosurit është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka bastisur shtëpinë e Dibran Hoxhajt, pasi dyshohet për vrasjen e 31 vjeçarit nga Kukësi.

Në vendngjarje janë gjetur të paktën tri gëzhoja plumbash si dhe është hasur lokali i demoluar.