Lëndohet rëndë me “bombica” një 8 vjeçare, do t’i amputohen gishtat

Tre persona janë plagosur nga arma e zjarrit gjatë festimeve për Vitin e Ri. Në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë 15-vjeçare, ndërsa raportohet se bëhet fjalë për lëndime nga plumbi qorr. Te gjitha këto raste janë pranuar në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

Po ashtu, lëndime janë shënuar edhe nga fishekzjarrët, e më së keqi e ka pësuar një 8-vjeçare së cilës duhet t’i amputohen gishtat.

Mjeku kujdestar ne Klinikën Emergjente, Ejup Govori, tregoi në detaje për rastet e plagosjes me armë zjarri të cilat janë pranuar në këtë klinikë.

“Gjatë kujdestarisë së kësaj nate kemi pranuar tri raste lëndime me armë zjarri, siç thanë ata, nuk dihet nga u ka ardhur plumbi, ne i quajmë lëndime nga plumbat qorrë. Lëndimet janë në ekstremitete të poshtme. Mosha e të plagosurve është; njeri 36-vjeçar, tjetri 26 dhe një vajzë 15-vjeçare ….. kjo vajza 15-vjeçare është plagosur nga një plumb qorr, kur është bërë rentgeni është evidentuar edhe predha në ekstremitet. Është trajtuar nga ortopedi, dhe predha është nxjerrë nga ekstremiteti … Sipas të gjitha gjasave kjo vajza 15-vjeçare duhet të pranohet për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Govori.

Më tej, doktor Gavori ka thënë se kanë pranuar edhe raste të lëndimeve me mjete piroteknike dhe disa prej tyre janë të rënda.

“Ndërsa mjetet piroteknike, nga ora 19:00 kur ka filluar ndërrimi i natës kemi pranuar 11 raste me mjete piroteknike, kryesisht lëndime në ekstremitete të sipërme dhe lokalizimi është në shuplaka të dorës. Ka raste të cilat janë lëndime serioze me invaliditet, duhet të amputohen apo t’u hiqen gishtat, sepse është lëndim shumë serioz. Ndërsa, disa raste të tjera ka nga këto mjete piroteknike -fishekzjarre të cilat lëndimet janë në fytyrë, lëndimet nuk janë serioze por sipërfaqësore, dhe këto raste lirohen pas trajtimit të plagëve”, tha ai.

Lexo edhe:  Piloti i ri nga Vushtrria realizon fluturimin e tij të parë në Prishtinë, pritet me entuziasëm

Lëndime më serioze ka pësuar një 8-vjeçare, së cilës pritet t’i amputohen gishtat e dorës për shkak të lëndimeve nga mjete piroteknike.

“Pak më herët erdhi një vajzë e moshës 8-vjeçare, e cila hetohet se ka lëndime jashtëzakonisht të rënda të shuplakës, dhe besoj se lëndimet janë shumë serioze ku duhet t’i amputohen gishtërinjtë, invaliditeti është shumë i rëndë”, shtoi ai.