Blerim Latifi porosit kosovarët: Mos i dëgjoni “talebanët shqipfolës”, nuk kalohen festat si në Afganistan
Profesori universitar i Filozofisë Blerim Latifi, ka kërkuar që Kosova të mos i jep edhe një argument kulturor Serbisë, për t’i kaluar festat e fundvitit në heshtje, sikur vahabistat dhe klerikët e tyre në Afganistan.
Në një postim në Facebook, Latifi ka porositur që të festohet ashtu siç meritohet, e jo të dëgjohen “talebanët shqipfolës”.
Reagimi i tij i plotë:
Tanimë është bërë rregull që sa herë vijnë festat e fundvitit vahabistat dhe klerikët e tyre nuk i zë vendi vend pa folur qysh Kosova duhet ta pres vitin e ri siç e presin në Afganistan: në terr, në heshtje, pa qytete e sheshe të ndriquara, pa lojëra e dhurata për fëmijët, pa darka festive familjare e miqësore.
Pra, kërkojnë që, duke vepruar si në Afganistan, të bëhemi gazi i botës, këtu kemi pasur fatin të jemi prej shekujsh, në Europë.
Të bëhemi gazi i botës dhe t’i japim edhe një argument kulturor Serbisë, e cila nuk lë rast e mundësi për ta paraqitur Kosovën si një vend me prirje antimoderne e antieuropiane; një vend ku në vend të dhuratave e mësimeve për ta gëzuar jetën, fëmijëve u mësohet se çfarë i pret në natën e parë të vorrit dhe flakët e xhehnemit nëse nuk jetojnë sipas direktivave të talebanizmit.
Prandaj, shqiptarë, kudo ku jeni, mos i dëgjoni talebanët shqipfolës, trajtoni ata ashtu siç e meritojnë, si primitivë, por edhe si e budallenj të rrezikshëm, si sherrbudallë, siç do t’i quante populli.
Dhe, natyrisht, mos harroni: festoni e gëzoni familjet e fëmijët tuaj! Në veçanti fëmijët.
Gëzuar!