‘Dakordimi është bërë’- Kosova e gatshme të veprojë nëse barrikadat nuk hiqen, Osmani përmend 24-orëshin e ardhshëm

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sonte ka thënë se është çështje orësh heqja e barrikadave në veri të vendit. Në rast se nuk hiqen barrikadat, Osmani u shpreh institucionet e Kosovës do të veprojnë pasi sa më shumë që të mbesin barrikadat aty, aq më shumë po rrezikohet jeta e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali

Osmani tha se s’mund të jap detaje pasi informacionet janë të klasifikuara, por ajo njoftoi se është bërë dakordimi për të vepruar, në koordinim me aleatët.

“Pikërisht për shkak të koordinimeve dhe bashkërendimit me aleatët tanë, jam e bindur se është çështje orësh heqja e barrikadave dhe në qoftë se nuk largohen ato përfundimisht, natyrisht që duhet të ketë veprim të menjëhershëm por të dakorduar të institucioneve tona së bashku me institucionet ndërkombëtare të sigurisë”, është shprehur Osmani në Rubikon.

Osmani tha se barrikadat aktuale nuk kanë qenë asnjëherë barrikada më të rrezikshme, teksa tha se nuk mund të tregojë arsyen e rrezikshmërisë pasi mund të rrezikohet jeta e qytetarëve, policisë, KFOR-it e EULEX-it.

“Janë vlerësime të institucioneve të sigurisë vendore e ndërkombëtare, të cilat janë vlerësime të klasifikuara, të cilat pas një jave apo më shumë edhe do të mund t’i deklasifikojmë”.

“Por, për shkak se mund të rrezikohet jeta e policëve tanë, e ushtarëve të KFOR-it, e personelit të EULEX-it, e civilëve mbi  të gjitha, unë s’mund tani t’i jap ato detaje”, është shprehur Osmani sonte.

Për shkak të barrikadave, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, janë bllokuar. Këto dy pika kufitare, që nga 10 dhjetori janë të mbyllura.

Autoritetet në Kosovë më 27 dhjetor mbyllën edhe pikën kufitare të Merdares, pasi në anën serbe të kufirit, u vendosën barrikada.

Lexo edhe:  Dështimi për anëtarësim në KiE, Osmani ia hedh fajin Qeverisë Kurti: S’jam pajtu kur e kanë ofru Asociacionin

Për vendosjen e barrikadave, Kosova fajëson “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia. Beogradi ndërkaq ka shprehur përkrahjen për barrikadat dhe ka thënë se ato nuk do të hiqen deri kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba. Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët.