Gëzohen llapjanët, një fshat i Podujevës bëhet me xhami të re

Fshati Revuq i Podujevës nga sot u bë me xhami të re, kjo falë bamirësisë së banorëve të fshatit.

Në hapje të kësaj xhamie, përveç banorëve të shumtë dhe përfaqësuesve të Këshillit të BI-së së Podujevës, i pranishëm qe edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tij.

Ceremonia e hapjes së xhamisë filloi ashtu siç e do rendi, me leximin e pjesëve nga Kurani fisnik dhe me këndimin e tekbireve dhe salavateve.

Në emër të Këshillit të BI-së së Podujevës, një fjalë përshëndetëse dhe mirëseardhjeje e mbajti kryetari i këtij Këshilli, Mensur ef. Hoti, i cili fillimisht uroi banorët e Revuqës për hapjen e kësaj xhamie, duke lutur të Madhin Zot që t’i shpërblejë me të mirat e Tij të gjithë ata që kanë kontribuar që të ndërtohet kjo xhami.

Ai tha se tanimë, falë angazhimit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe falë bamirësve vullnetmirë, pothuajse të gjitha fshatrat e Podujevës janë të pajisura me xhami, fakt ky që e lehtëson kryerjen e ibadeteve nga xhemati.

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, në fjalën e tij përshëndetëse, uroi dhe përgëzoi banorët e fshatit Revuq për ndërtimin e kësaj xhamie, duke shprehur kështu angazhimin dhe përkushtimin e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës për përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës fetare për xhematin e këtij vendi.

“Më lejoni që t’ju uroj dhe t’ju përgëzoj për ndërtimin e kësaj xhamie, për të cilën, lusim Zotin e Madhëruar, që t’i shpërblejë të gjithë ata, të cilët në çfarëdo mënyre kanë kontribuar, qoftë edhe vetëm duke u gëzuar për ndërtimin e saj.

Ta dini se, qysh se prej që është hapur themeli për ndërtimin e kësaj xhamie, ata që kanë kontribuar për këtë, kanë ndërtuar edhe shtëpitë e tyre në Xhenet, ngase Pejgamberi a.s. ka thënë se kush ndërton një shtëpi të Zotit në këtë dynja, Zoti do t’ia ndërtojë atij një shtëpi në Xhenet” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Lexo edhe:  Policia finlandeze e konfirmon se njëra nga nxënëset e plagosura dje është nga Kosova, ka plagë të rënda

Imer Rrahimi, përfaqësues i fshatit Revuq, falënderoi Myftiun Tërnava dhe kryetarin Hoti për prezencën dhe për angazhimin e tyre dhe të institucionit të BIK-ut për ndërtimin dhe përurimin e kësaj xhamie, duke uruar dhe përgëzuar banorët për këtë xhami.

Po ashtu, Myftiu Tërnava, mbajti edhe hytben e xhumasë, ku u fokusua në vlerën dhe rëndësinë që ka ndërtimi i xhamive në Islam. Ai përmendi ajetin kuranor, ku Zoti i Madhëruar thotë se e drejta e veçantë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive ju takon besimtarëve, atyre që besojnë Zotin, falim namazin e japin zeqatin.