As barrikadat nuk e ndalin – Banori shqiptar në veri gjen rrugë alternative për të udhëtuar

Që prej 13 ditësh disa rrugë kryesore në veri të Kosovës janë barrikaduar me kamionë dhe autobusë. Kjo ka ndërlikuar tejmase lëvizjen e lirë të shumë banorëve në Mitrovicën e Veriut të cilëve u janë bllokuar shumica e rrugëve në këtë anë.

Por disa prej tyre as barrikadat nuk i ndalin. I tillë është Lulëzim Hetemi, banor i Bistricës, i cili ka gjetur rrugë alternative për të udhëtuar. Ai në një rrëfim për gazetaren Vjosa Çerkini nga “DW” ka rrëfyer këto rrugë alternative në një video reportazh që tregon sesi “barrikadat vetëm ia kanë zgjatur kilometrat dhe ia kanë shtuar shpenzimet” por nuk e kanë bllokuar.

“Qe 13 ditë janë ngritur barrikada dhe ne duhet të përdorim rrugë alternative. Situata po shihet si është në veri. Tani na duhen rrugë alternative, të cilat i kemi nëpër fshatrat shqiptare drejt minierës së Trepçës, thotë Hetemi për DW.

Teksa forcat ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë dhe Policia e Kosovës bashkë me institucionet tjera po mundohen të gjejnë ndonjë zgjidhje, banorëve sikuse Lulëzim Hetemit iu bie që të gjejnë rrugët alternaive që vetëm banorët lokal i dijnë.

Lulëzim Hetemi është një nga të paktët shqiptarë të Kosovës që jeton në veri të Kosovës, në fshatin Bistricë. Në këtë zonë ka pasur shpesh tensione dhe të shpeshta kanë qenë edhe bllokimet e rrugëve me barrikada.

“Më parë kur vendoseshin barrikadat e kishim më të vështirë sepse nuk kishim rrugë, kur mbyllej rruga kryesore nuk kishim rrugë alternative. Po, tani me këto barrikada aktuale, rruga është më e gjatë, por e kanë shtruar asfalt dhe kanë hequr disa nga vështirësitë që kishim më parë kur ishim bllokuar plotësisht.Për çështje sigurie nuk është se kemi ndonjë problem, por lëvizje të lirë të them se kemi, nuk kemi derisa të jenë barrikadat”, thotë Hetemi për “DW”.

Lexo edhe:  Vdes një ushtar turk i KFOR-it

Përveç rritjes së shpenzimeve, dhe kohëzgjatjes së udhëtimit, rrugët alternative nënkuptojnë edhe kosto më të larta për benzinë dhe për jetesën.

“Po, normal që është e kushtueshme se janë disa kilometra më shumë. Rruga alternative është më e gjatë, është më e vështirë dhe harxhimet dhe shpenzimet janë më të mëdha. Por, ne jemi të vendosur, që të qëndrojmë këtu. Nuk duhet të shikojmë kostot, duhet të përshtatemi me situatën derisa shteti ynë të ndërhyjë dhe të na hapë rrugët”, thotë Hetemi.

“Nuk kemi ku të shkojmë, duhet të bëjmë ashtu sic duhet sic thotë populli”, shton ai.
Tensionet vërehen edhe në Mitrovicën e Veriut, ku jetojnë shumica e serbëve të Kosovës.

Shumica e serbëve kanë mbyllur dyqanet e tyre, dhe po qëndrojnë në shtëpi nga frika se situata do të përshkallëzohet. Për këtë ka folur Aleksandar Arsenijeviq i cili është edhe aktivist politik në Mitrovicën e Veriut.

Mendoj se situata me barrikadat ekskluzivisht duhet të ketë zgjidhje politike, sepse çdo zgjidhje tjetër do t’i rrezikonte qytetarët dhe do të krijonte konflikte me pasoja të mëdha për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Arsenijeviq.

VIDEO