Policia e Kosovës i shkon në shtëpi 24-vjeçarit, e arrestojnë për armëmbajtje pa leje
Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve.
Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, raporton Gazeta Sinjali.
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë mbrëmë ka kryer bastisje në një shtëpi në rrugën ‘Pajtim Roci’, pas informacioneve se një 24-vjeçar dyshohet se posedon armë ilegale.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit u gjet një armë zjarri bashkë me një karikator dhe fishekë të cilat janë sekuestruar nga Policia.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprën ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“