Digjet një hektar tokë në Polac të Skenderajt, dyshohet se u shkaktua qëllimshëm
Një pjesë e madhe e botës po vuan së fundmi nga zjarret si pasojë e temperaturave të larta. Megjithatë, shpeshherë hapësira të mëdha digjen si shkak i zjarrvënies së qëllimshme.
Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur sot pak pas mesdite në Polac të Skenderajt, ku një personi i është djegur një parcelë tokë.
Burime të Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se viktima nuk është në dijeni të personit që mund të ketë shkaktuar zjarrin.
Burimet thonë se të njëjtit i janë dëmtuar afër 100 trupa pemë arre në vlerë rreth 3 mijë euro.
Zjarrfikësit kanë arritur me kohë ta lokalizojnë zjarrin, derisa nuk është lënduar askush nga ky rast.
Organet e rendit po e hetojnë rastin “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.