Piraj: Po e pasurojmë Serbinë, ajo po blen armatim

Përmes fushatës “Bojkoto prodhimet serbe” që ka nisur në viti 2021 po synohet që Kosova ta reduktojë në masën sa më të lartë të mundshme importin e produkteve serbe, kanë thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, organizatorët e fushatës, Burim Piraj dhe Ermira Bytyqi.

Piraj ka thënë se fushata ka pasur sukses mirëpo ende nuk është arritur niveli i dëshiruar i saj, pasi produktet serbe vazhdojnë të blihen më të madhe në vend.

Sipas tij, ata që i blejnë më shumë produktet serbe nuk janë njerëzit e shtresës së varfër.

“Fushata ka pasur një sukses por jemi të pakënaqur, ka pasur këtë vit import jashtëzakonisht të madh të produkteve serbe, si shifër është më shumë se vitin e kaluar. Mendësia ka ndryshuar dhe kemi shpresa të madha që në vitin e ardhshëm do t’i kemi pamjet e para të dështimit të kompanive që importojnë nga Serbia. Nuk është shtresa e varfër ajo që po blen. Janë produkte që i blen shtresa e mesme dhe e pasur”, ka thënë Piraj.

Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës kanë kontribuuar në pasurimin e Serbisë, derisa ka kërkuar nga Inspektorati që ta rrisë kontrollin ndaj produkteve serbe të cilat siç ka thënë, mund të jenë me përbërje të dëmshme.

“Pse inspektoratet tona janë shumë tolerante ndaj produkteve të Serbisë. Inspektorati duhet të bëjë analiza të produkteve që futen në Kosovë. Ato mund të jenë kancerogjene, materie që mund të shkaktojnë dëm në shëndetin e njerëzve, pastaj materialet ndërtimore mund të kenë rrezatim ndryshe”, është shprehur Piraj.

Ndërkaq, Ermira Bytyqi, ka thënë se ata serbë që i eksportojnë produktet e tyre në Kosovë mund të kenë qenë pjesëmarrës në ndonjë masakër gjatë luftës në Kosovë.

Lexo edhe:  Tërmet në Shqipëri

Sipas saj, me blerjen e produkteve serbe në Kosovë po pasurohet Serbia, e cila po blen armatim vazhdimisht.

“Ne duhet të kemi kulturë ta zhvillojmë veten. Mos ta pasurojmë një biznesmen apo punëtor serb që ndoshta ka marrë pjesë në ndonjë masakër në Kosovë dhe që e pasuron kështu buxhetin e shtetit serb, të cilin ai e shfrytëzon për të blerë armatim”, ka thënë Bytyqi.

Ndërkaq, Piraj ka thënë se janë mbi 4,000 produkte serbe që importohen aktualisht në Kosovë.