Britania e Madhe sanksionon Radojicicin dhe Veselinovicin

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly, ka njoftuar të premten një valë të re sanksionesh ndaj aktorëve të korruptuar dhe ata që shkelin dhe abuzojnë të drejtat e njeriut, si dhe autorët e dhunës seksuale.

Në listën e të sanksionuarve janë edhe politikanët serbë që veprojnë në Kosovë, Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç, të cilët Qeveria e Britianisë së Madhe i ka përshkruar si anëtarë të Grupeve të Organizuara Kriminale.

Ndër të tjera, në paketën e sanksioneve të Britanisë së Madhe përfshihet edhe Slobodan Tesiç, një tregtar i rëndësishëm armësh me bazë në Serbi, i akuzuar për ryshfet ndaj Kryeprokurorit të Shtetit të një vendi tjetër.

Paketa përfshin individë dhe subjekte të përfshirë në një gamë të gjerë aktivitetesh të rënda – duke përfshirë torturimin e të burgosurve, mobilizimin e trupave për përdhunimin e civilëve dhe mizoritë sistematike.

Këto sanksione demonstrojnë përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur shoqëritë e lira dhe të drejtat e njeriut të të gjithëve.

“Është detyra jonë të promovojmë shoqëri të lira dhe të hapura në mbarë botën. Sot sanksionet tona shkojnë më tej për t’i ekspozuar ata që qëndrojnë pas shkeljeve të tmerrshme të të drejtave tona më themelore. Ne jemi të përkushtuar të përdorim çdo levë që kemi në dispozicion për të siguruar një të ardhme lirie mbi frikën”, deklaroi Cleverly.

Ndryshe, Milan Radoiçiç, Zvonko Vesellinoviç dhe 11 persona të tjerë – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 8 dhjetor të vitit të kaluar.

Lexo edhe:  Ky qytet i bukur po i paguan njerëzit 30 mijë euro për të jetuar atje