“Pagë e majme për të vrarë minj”, oferta e pazakontë për punë

Kryetari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Eric Adams, ka shpallur një ofertë pune për t’i dhënë fund problemit të minjve që ndodhen kudo në qytet. Për këtë, ai kërkon dikë “të pamëshirshëm” dhe të përkushtuar për të “vrarë me shumicë” minjtë e qytetit.

Pozicioni i ri do të paguhet deri në 170.000 dollarë në vit.

“Nuk ka asgjë që urrej më shumë se minjtë. Minjtë nuk e sundojnë këtë qytet”, tha Adams në Twitter. Ai që do të punësohet merr zyrtarisht emrin “Drejtor i Programit të Reduktimit të Brejtësve”, por tashmë të gjithë e quajnë atë “gjuetari i minjve”.

Personi i zgjedhur duhet të plotësojë këto karakteristika: një ambicie vrastare, përkushtim absolut (24 orë në ditë, shtatë ditë në javë), proaktiv dhe krijues, me aftësi për të shqyrtuar të gjitha llojet e zgjidhjeve, ndër to janë përmirësimi i efikasitetit operacional, mbledhja dhe vlerësimi i të dhënave.

Njoftimi zyrtar thekson se pozicioni nënkupton “lidership me ndikim të lartë dhe shikueshmëri të lartë”. Padyshim që kjo është një reklamë goditëse që ka ngjallur polemika në rrjetet sociale, veçanërisht në mesin e aktivistëve të të drejtave të kafshëve, por mbi të gjitha ka një objektiv: t’i japë fund “armikut të vërtetë” të qytetit.

“Nëse keni dëshirën, vendosmërinë dhe instinktin për të luftuar popullatën e pamëshirshme të minjve të Nju-Jorkut, puna e ëndrrave tuaja ju pret,” u shpreh Adams.

Gjatë kohës së tij si kryebashkiak i qytetit të Nju-Jorkut, Adams ka intensifikuar përpjekjet kundër brejtësve, duke bërë thirrje për qasje të reja që përfshijnë ndryshimin e kohës së marrjes së plehrave në orët e mbrëmjes.

Brejtësit përhapin sëmundje, dëmtojnë shtëpitë dhe instalimet elektrike dhe Nju-Jorku ka shpenzuar miliona dollarë në përpjekje për t’i dhënë fund popullatës së minjve, të cilët shumohen në mënyrë eksponenciale. Në aspektin statistikor, Nju-Jorku është qyteti i dytë me më shumë brejtës në Shtetet e Bashkuara, i tejkaluar vetëm nga Çikago.

Lexo edhe:  Ekonomistët me kërkesë direkte: Pushteti të lejojë tërheqjen e 30% të TRUST-it