Babë e bir kërcënojnë policët në Zhur të Prizrenit

Jo rrallëherë zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një rast i tillë ka ndodhur të dielën mbrëma në Zhur të Prizrenit, ku Policia është kërcënuar nga dy persona, babë e bir, të cilët u kapën me zyrtarët policorë që kishin shkuar për të intervenuar pas denoncimit të një qytetari.

Sinjali mëson se dikush kishte njoftuar Policinë për prishje të rendit dhe qetësisë në orët e mbrëmjes në këtë fshat. Posa njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes, fillimisht i dyshuari E.K., nuk ka pranuar të bashkëpunojë me Policinë, ashtu që s’ka përfillur urdhrat për prezantimin e mjetit të identifikimit.

Për të mos mbaruar me kaq, teksa zyrtarët policorë po merreshin me të dyshuarin 22-vjeçar, aty ka ndërhyrë edhe babai i tij, A.K., i cili e ka kërcënuar Policinë. Për pasojë, i njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, teksa ai dyshuari tjetër ka ikur.

Babai i të riut që u fut në sherr me Policinë, sipas burimeve të Sinjalit ka qenë i dehur dhe menjëherë pasi është prangosur është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Lexo edhe:  Kurti i përgjigjet Ramës: Veriu është tokë e Kosovës