Sulmohet fizikisht infermieri i Spitalit Rajonal në Mitrovicë, arrestohet personi i dyshuar
Punëtorët shëndetësorë jo rrallëherë kanë qenë cak i sulmeve e kërcënimeve nga pacientët e familjarët e tyre të cilët shpeshherë i kanë akuzuar për trajtim jo të duhur.
Raste të tilla janë raportuar jo vetëm në spitale private, por edhe në ato publike, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe sot në orët e para të mëngjesit në Spitalin rajonal të Mitrovicës, ku është sulmuar një infermier i Emergjencës (emër i njohur për redaksinë), nga shoku i një pacienti që ishte dërguar në këtë qendër për trajtim.
Sipas burimeve nga spitali, i dyshuari B.R., e ka sulmuar fizikisht infermierin, pasi i njëjti e kishte udhëzuar që mikun e tij të dehur, ta dërgojë në shtëpinë e shëndetit për trajtim dhe jo në spitalin rajonal. Kjo siç duket e ka mllefosur të dyshuarin, i cili është hedhur në sulm, bashkë me dy persona të tjerë.
Rasti është denoncuar menjëherë në Polici nga stafi i spitalit, me ç’rast është kapur i dyshuari kryesor, i cili po ashtu ka qenë i dehur dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku do të merren veprimet e nevojshme hetimore.
Në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar mbledhjen e informacioneve dhe analizimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë brenda spitalit, që do të zbardhin rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja