Tjetër kërkesë nga amerikanët, Hill: Shtyjeni vendimin për targat për të paktën 1 vit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se çështja e targave duhet të shtyhet për të paktën një vit, për të zgjidhur çështje më të rëndësishme në kuadër të dialogut.
“Rajoni ka nevojë të qetësohet. Është e nevojshme të zgjidhen problemet në afat të gjatë, në mënyrë që serbët në Kosovë ta dinë se si do të jetë jeta e tyre. Kosova gjithashtu duhet të ketë perspektivën e një pozicioni ndërkombëtar”, ka deklaruar ambasadori veteran amerikan i cili është njohës i mirë i dinamikave në Ballkan.
Fillimisht ShBA-të kishin kërkuar një shtyrje të vendimit për targat për një periudhë 10 mujore, e njëjta ishte shpërfillur nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Ekzekutivi kosovar në vend se ta shtynte vendimin për targat sipas kërkesës amerikane e kishte ndarë implementimin e tij në katër faza, qortim, gjobë, targa provuese dhe largim i të gjitha tabelave ilegale duke filluar nga 21 prilli i vitit 2023.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ishin rritur prej se Qeveria e Kosovës kishte nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin e makinave me targa të paligjshme serbe në ato RKS.
Gjendja u përkeqësua kur Lista Serbe vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.
Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.
Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori, Policia, Dogana.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi Rakiç pas takimit.
Për të diskutuar për situatën e krijuar në mes të dy shteteve pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat në Bruksel të hënë u mbajt takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili pas 8 orë bisedimesh përfundoi pa rezultat konkret.
Kur mbetën edhe pak orë para se të nis zbatimi i vendimit për gjoba, natën vonë të hënën doli ambasadori amerikan me një deklarim publik në Twitter dhe kërkoi shtyrje 48 orëshe.
Jeff Hovenier shprehu shqetësim për mos arritjen e marrëveshjes dhe kërkoi edhe një sforcim në këtë drejtim.
Tre minuta më vonë, po në Twitter u përgjigj Kurti pozitivisht.
Mu për këtë arsye zëvendës-kryeministri i Kosovës dhe formalisht krye-negociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, të mërkurën është nisur për në Bruksel, ku do të ketë takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç, për të diskutuar pikërisht çështjen e targave.