Mjeku shqiptar vihet në krye të kardiokirurgjisë në Zvicër

Kardiokirurgjia në Spitalin Universitar të Cyrihut (USZ) dhe ajo Spitalin e Qytetit (Triemlispital) do të jenë nën menaxhimin e përbashkët të Omer Dzemalit (Xhemalit) nga 1 dhjetori 2022, transmeton albinfo.ch.

Prandaj, 52-vjeçari përveç që do të punojë si Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në USZ, do të vazhdojë të punojë edhe si kryemjek Klinikës për Kardiokirurgji në Spitalin e Qytetit të Cyrihut.

Unifikimi i kardiokirurgjisë së Cyrihut ka kuptim nga pikëpamja mjekësore dhe ajo biznesore, thuhet në një deklaratë të dy spitaleve, shkruan medinside.ch.

Qëllimi i bashkëpunimit është përdorimi i sinergjive midis dy klinikave të kirurgjisë së zemrës në operacionet e përditshme. Kjo do të shprehet për shembull përmes shërbimeve të përbashkëta, rotacionit të stafit, raporteve të përbashkëta dhe trajnimeve.

Pikat e mëtejshme të bashkëpunimit do të përcaktohen bashkërisht në muajt në vijim. Ndërkaq, klinikat e kardiologjisë dhe kirurgjisë vaskulare të dy institucioneve nuk janë pjesë e bashkëpunimit.

Sipas njoftimit, vargu i shërbimeve për procedurat e planifikuara dhe urgjente kirurgjikale të zemrës do të vazhdojë të sigurohet në të dyja lokacionet me menaxhim të përbashkët, përcjell albinfo.ch. Dy spitalet e qytetit të Cyrihut kanë punuar së bashku prej disa vitesh si pjesë e Aleancës së Kardiokirurgjisë së Cyrihut.

Prof. Dr. Omer Xhemali po vihet kështu në krye të gjithë kardiokirurgjisë së Cyrihut, që është një ndër qendrat më të avancuara të kësaj fushe në Evropë.

Lexo edhe:  Grabitja në BKT, kapet nga Policia i dyshuari që po kërkohej moti