LAJMI I FUNDIT: Bien çmimet e derivateve në Kosovë
Çmimet e derivateve në Kosovë ditëve të fundit kanë shënuar rënie të lehtë.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për Telegrafin përmendi tri arsye për këtë; rënien e çmimeve në Berëzën Ndërkombëtare, rritjen e prodhimit si dhe konkurrencën e madhe.
“Në Berëz kanë rënë çmimet dhe kjo ka reflektuar edhe te ne në Kosovë. Ndikim në rënien e çmimit ka edhe organizata prodhuese OPEC, e cila ka shtuar prodhimin. Kur kemi prodhim të rritur kemi në mënyrë automatike kemi rënie të çmimit dhe kjo është duke ndodhur në Kosovë”, deklaroi Berjani.
Ai gjithashtu përmendi edhe faktin që në Kosovë aktualisht nuk ka çmime të imponuara apo “çmime tavan”, ashtu siç kishte më parë.
“Tani nuk kemi çmime të imponuara apo çmime tavan. Kosova është treg i hapur dhe shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karburanti. Është një konkurrencë dhe garë e madhe për çmim, Oferta dhe kërkesa e bëjnë çmimin”.
Sipas tij, qytetarët në Kosovë janë duke u shërbyer me çmimet më të ulëta në rajon, përveç Maqedonisë së Veriut.
“Çmimet janë në rënie e sipër qytetarët tanë duke u shërbyer me çmimet më të ulta në regjion. Përveç Maqedonisë së Veriut e cila ka akcizën e dizelit më të ultë se ne për 22 cent”, u shpreh tutje ai.
Në fund, Berjani luti qytetarët që kur shërbehen me derivate ta kërkojnë kuponin fiskal