Rrëfimi i familjes që djalin 7 vjeçar ua vrau ushtari amerikan në Ferizaj

Janë ngushëllimet që ua shprehi gjenerali amerikan, Randal Tieszen. Ky i fundit këto fjalë i lexoi në ditën e varrimit të Gentrit Rexhepit nga Zllatari i Ferizajt.

7-vjeçari më 10 korrik të vitit 2000, u vra aksidentalisht nga një ushtar amerikan.

Ngjarja ndodhi derisa KFOR-i po i vendoste rrethojat në oborrin e shkollës “Njazi Rexhepi”.

Babai i vogëlushit të ndjerë, dy dekada më pas, tregon se si ndodhi e gjithë ngjarja.

“I ka marrë sheqerat t’ia çoj mamit, ta gëzoj mamin. U kanë vakti i drekës, Sanija i ka thanë rri se buka, e Gentriti ja ka kthy jo se po shkoj më i marrë edhe do sheqera”, tha Deli Rexhepi, babai i Gentritit.

Pak minuta më pas, ushtarit amerikan, Nicholas Young, i shkrepi aksidentalisht arma.

Ndërsa plagët e marra, ishin të papërballueshme për Gentrit Rexhepin.

Krismat e armës, i dëgjoi edhe nëna e 7-vjecarit, Sanije Rexhepi, e cila ishte nga të parët që doli në vendngjarje.

“Djalin e shtinën në një autoblindë, e ushtari filloi me bërtit e me i ra të fikët, dojke me vra vetën…”, u rrëfeu Sanije Rexhepi, nëna e Gentritit.

Pas incidentit, 7-vjecari u transportua me urgjencë në kampin amerikan “Bondsteel”

Pas disa orëve, mjekët në këtë kamp, familjes ua dhanë lajmin se biri i tyre, ndërroi jetë.

“Vendosën që kanal të na tregojnë, ish fjalë e ranë, kush me marrë guximin me na tregu neve, manë fund na e kumtuan lajmin, na thanë që deri në këtë minutë e ka pas jetën…”, tha Deli Rexhepi, babai i Gentritit.

Një vit më vonë, Deli e Sanije Rexhepi, udhëtuan për në Gjermani.

Kjo pasi para Gjykatës Ushtarake Amerikane atje, doli i akuzuari për vrasjen e djalit të tyre.

Por, fjalët që këta i thanë para gjykatësit, habitën të gjithë në sallë.

Lexo edhe:  Trupat dhe automjetet mbi Urën e Ibrit, KFOR: Nga sot vendosen përkohësisht asete shtesë si pjesë e stërvitjeve

“Ju them mërzi kemi që na ka ndodh, por që ushtari është i lirë prej anës tonë, nuk kemi kurrfarë akuze”, tha babai i Gentritit.

Familja që gjakun e të birit ja fali Amerikës, ka një porosi për të gjitha familjet në Kosovë.

“Gjithë shqiptarët ka janë, i kisha lut me falë gjakun…”, u shpreh nëna e Gentrit.

Me kërkesën e vet familjes Rexhepi, ushtari amerikan që ua vrau të birin, i vizitoi disa herë në shtëpinë e tyre.

Për video klikoni KËTU