Arrestohen 3 kosovarë që kryenin punime të diplomës me para
Emisioni “Kiks Kosova”, më 25 tetor të këtij viti, realizoi një hulumtim në lidhje me “punimin e diplomave me pagesë”.
Në storiet e përgatitura nga emisioni në fjalë, u konstatua se persona të ndryshëm shitnin diploma në këmbim të shumave të ndryshme të parave, varësisht nga tema që kërkohej.
Madje njëri nga ta, ndonëse u pagua nga emisioni me qëllim investigimi, nuk e dërgoi punimin. E pas publikimit të stories në emision, i njëjti kontaktoi redaksinë e Kiks-it me qëllimin që të bënte presion që storia të mos publikohej.
Por, organet e rendit ishin informuar me këtë fenomen menjëherë pas raportimit në “Kiks Kosova”.
Si rrjedhojë, dje dhe sot (15 dhe 16 nëntor), janë arrestuar tre persona nën akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mashtrimit”.
“Me datën 26.10.2022, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar një autorizim mbi grumbullimin e informacioneve në lidhje me disa denoncime publike, ku është shfaqur fenomeni i shit-blerjes së Punimeve të Diplomave. Pas zhvillimit të hetimeve, grumbullimit të provave si dhe identifikimit të personave të dyshuar më datën: 15 dhe 16.11.2022, janë iniciuar dy raste: ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Mashtrim’”, ka thënë Policia e Kosovës, raporton Klankosova.tv.
Në rastin “Falsifikimi i dokumenteve” janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve personat F.Th, mashkull, 22-vjeç dhe F. V, femër 22-vjeçe.
Ndërkaq në lidhje me rastin “Mashtrim”, në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar personi B.B, mashkull, 27-vjeç.
Hetuesit e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë kanë thënë se pas grumbullimit të provave dhe kompletimit të lëndëve, do t’i procedojnë të dyshuarit në Prokurorinë 1 në Prishtinë me kallëzim penal.