Gjykata ia ul dënimin Goran Stanishiqit nga 20 në 15 vjet burgim për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë

Gjykata e Apelit e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e mbrojtësit të të dënuarit për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë, Goran Stanishiq, duke ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë ndaj tij, përkitazi me vendimin mbi dënim, ashtu që ia ka ulur dënimin të njëjtit nga 20 në 15 vjet burgim.

Më 5 tetor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, Goran Stanishiqin e kishte dënuar me 20 vite burgim për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë.

Ndërsa, Apeli më 27 shtator 2022,  kishte shqyrtuar ankesën e mbrojtjes, ku ishte kërkuar që Stanishiq të lirohet nga akuza apo që çështja të kthehet në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në vendimin e Apelit, i cili rezulton të jetë publikuar më 27 tetor 2022, thuhet se Stanishiq gjykohet me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 15 vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

“APROVOHET pjesërisht si e bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit G.S., av. Lubomir Pantoviq, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.11/2020, datë 05.10.2021, ndryshohet përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin G.S. për veprën penale për të cilën është shpall fajtor e gjykon me dënim me burgimi në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjete) vite, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 20.07.2019 e tutje”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Kjo gjykatë, ka gjetur se pretendimet e mbrojtësit të të dënuarit Stanishiq, avokatit Lubomir Pantoviq, përkitazi më vendimin mbi dënim janë të bazuara.

Në vendim, thuhet se Gjykata e Apelit gjen se sipas dispozitës së nenit 38, paragrafi 1 të LPJ, dënimi me burgim nuk mund të jetë më i shkurtë se 15 ditë e as me i gjatë se 15 vite, kurse sipas paragrafit 2 të këtij neni, vetëm për veprat penale për të cilat është parashikuar dënimi me vdekje gjykata mund të jap edhe dënim prej 20 viteve burgim.

Lexo edhe:  Kjo është policja e Kosovë që u zhduk, për fatin e saj nuk dihet asgjë nga e diela