Skandal: Ushtria e Kosovës përfshihet në nderimin e ushtarëve serbë që kryen krime më 1912
Garda Ceremoniale e FSK-së ka marrë pjesë me 11 nëntor në ceremoninë e 104-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në varrezat e krishtera në Arbëri të Prishtinës. Por, si “pa të keq”, ushtarët e FSK-së janë vënë gaditur edhe në pllakën përkujtimore të ushtarëve të rënë serbë nga viti 1912-1918.
Lufta e Parë Botërore ka filluar në vitin 1914, kurse pllaka në gjuhën serbe përkujton ushtraët e vrarë dy vjet përpara gjatë pushtimit të Kosovës ku u vranë mijëra shqiptarë. Kjo ceremoni u organizua nga Ambasada Gjermane dhe ajo Franceze në Prishtinë, kurse i pranishëm ishte edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Të premten e kaluar, me 11 nëntor, ka ndodhur një ngjarje që mund të konsiderohet si poshtërimi më i madh që i bëhet ushtarëve të FSK-së.
Garda Ceremoniale është dërguar në varrezat e krishtera në Dragodan për të nderuar 104-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të organizuar nga Ambasada Gjermane dhe ajo Franceze, e ku ka marrë pjesë edhe Ministri I Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Deri këtu krejtësisht në rregull.
Por, në të njëjtin vend, Garda është vënë roje edhe tek varri i ushtarëve serbë që kanë rënë në Kosovë nga viti 1912-1918. Siç dihet, nga viti 1912, ushtarët serbë – që të premten i ka nderuar FSK – kanë vrarë dhe masakruar mijëra shqiptarët të Kosovës, duke pushtuar kështu Kosovën pas tërheqjes së ushtarëve osmanë.
“Këtu qëndrojnë eshtrat e ushtarëve të rënë serbë, që vdiqën në luftërat 1912-1918”, shkruan pllaka përkujtimore, kurse rreth këtij varri qëndrojnë ushtarët e FSK-së dhe krejt trupa diplomatike në Kosovë.
Mbetet mister se si dhe kush i dërgoi ushtarët e FSK-’së në këtë aktivitet, e po ashtu se pse pranoi Ministri Sveçla të marrë pjesë në këtë ceremoni. Mbase, për t’i nderuar Ambasadën Gjermane dhe atë Franceze, por siç dihet, gjermanët dhe francezët përkujtuan përfundimin e Luftës së Parë Botërore (1918), kurse lufta kishte filluar më 1914. Atëherë, pse nderohen ushtarët serbë të rënë në vitin 1912?
Sido që të jetë, në ceremoni, ambasadorët kanë folur për armiqësinë e dikurshme franko-gjermane dhe për partneritetin që sot e kanë këto dy vendet, duke e ndërlidhur këtë me historinë e dy popujve që jetojnë në Kosovë, shqiptarëve dhe serbëve.
Lufta e Parë Botërore filloi me 28 korrik 1914 dhe përfundoi me 11 nëntor 1918, me fitoren e bllokut të Antantës ku bënte pjesë Britania e Madhe, Franca dhe Rusia, NDAJ aleancës Tripalëshe, ku bënin pjesë Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia.