I riu në Podujevë rrah vazhdimisht babain e tij të moshuar, përfundon në Polici
Dhuna në familje është një ndër dukuritë më shqetësuese në vend. Çdo ditë raportohen dhjetëra raste ku qytetarët dhunohen në forma të ndryshme nga familjarët e tyre. E edhe më të rënda bëhen rastet kur viktima janë prindërit, të cilët janë viktima të dhunës nga fëmijët e tyre.
Në një familje në rrugën ‘Llapi’ në Podujevë, djali dyshohet se ka sulmuar fizikisht babain e tij, duke e detyruar këtë të fundit që rastin ta denoncojë në Polici.
Sinjali mëson se 19-vjeçari dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, të cilin edhe e ka fyer e kanosur me fjalë të rënda.
Bazuar në dëshminë e viktimës, djali i tij ka gjithmonë sjellje agresive dhe është i dhunshëm në veprimet e tij dhe nuk ndihet i sigurt të jetojë me të.
I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin para hetuesve.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.