Osmani u operua në spital privat, gazetari: Mesazh i keq, kjo ndërhyrje kryhet në QKUK nga 2004
Gazetari i Shëndetësisë, Bujar Vitija, ka shkruar të enjten se ndërhyrjen kirurgjike që presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka bërë në një spital privat mund të kryhet edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) që nga viti 20004.
Siç ka njoftuar zyra e presidencës në fillimin e ditës së enjte “presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses”.
Por Vitija e shpjegon se kjo ndërhyrje kryhet në QKUK, duke aluduar se presidentja nuk i ka besuar institucionit publik.
“Heqja e temthit (idhzes) ne QKUK kryhet me laparaskopi nga kirurget qe nga viti 2004. Eshte nje nga procedurat rutinore. Bile edhe ne spitalet rajonale ne vitet e fundit aplikohet kjo metode. E Presidentja Osmani para spitaleve publike zgjodhi nje spital privat per ta kryer kete procedurë”, ka shkruar Vitia në Facebook.
Ai madje ka thënë se para disa javësh një pacient është ankuar për këtë spital.
“I ka besuar me shume nje spitali privat i cili udhehiqet nga nje kirurg i cili para disa javesh eshte akuzuar nga nje pacient se i ka harruar gazen ne trup pas operacionit. I njejti me pas eshte trajtuar ne QKUK”, ka thënë gazetari.
Megjithatë ai thotë se zgjidhja është personale, poqë sipas tij tregon shumë fakti që presidentja s’ka besim të trajtohet në shëndetësinë publike.
“Eshte e drejte e secilit me zgjedh institucionin ku don me u trajtu, ama si Presidente do te duhej me qene aq e pergjegjshme sa me ia besu shendetin nje spitali publik para atij privat. Kjo zgjedhje e saj çon mesazhin se kirurgeve ne publik “nuk iu besohet”, e qe ne fakt nuk eshte ashtu sepse ne QKUK ka super-kirurg qe idhza per ta eshte ‘hajgare”, ka deklaruar ai.
Mbrëmjen e së mërkurës para Spitalit “Aloka” janë parë veturat zyrtare të presidencës.
Aty po qëndronte Vjosa Osmani, më pas zyra e saj ka dhënë më shumë informacion për publikun.