Muharremi godet Kurtin: “Gati 50% të votave, por vendin e keni futur në paralizë”

Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër qasjen e Qeverisë së Albin Kurtit ndaj krizës institucionale në vend, duke ngritur pikëpyetje se si një parti që ka marrë rreth gjysmën e votave në zgjedhje mund të dështojë në formimin e institucioneve dhe, sipas tij, të kontribuojë në bllokimin e shtetit.

“Qysh more i fiton njeri e partia gati 50% të votave në zgjedhje e nuk i formon institucionet, por e bllokon vendin pas dy viteve paralizë e mungesë stabiliteti?”, ka shkruar Muharremi.

Ai ka kritikuar refuzimin për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të plota, duke argumentuar se vendi ka nevojë për institucione stabile dhe funksionim të plotë kushtetues.

Muharremi ka vënë në pikëpyetje edhe vazhdimin e qeverisjes në detyrë, duke iu referuar situatës kur zyrtarë të ekzekutivit mbajnë njëkohësisht edhe mandate deputeti. Për këtë çështje, Gjykata Supreme kishte konstatuar se mbajtja e njëkohshme e pozitës së deputetit dhe ministrit në një qeveri në detyrë ishte e ndaluar, ndërsa një vendim tjetër i saj kufizonte kompetencat e një qeverie në detyrë në veprime thelbësore dhe të paraplanifikuara.

“Për besë, jeni tranu, nuk jeni në vete”, ka deklaruar ai, duke e ashpërsuar edhe më tej kritikën ndaj klasës politike në pushtet.

Sipas Muharremit, një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe, në fund, mund të dëmtojë edhe vetë subjektin që ka marrë mbështetjen më të madhe në zgjedhje.

“Qyre, nuk shkon gjithë kungulli mbi ujë. Një ditë keni me u zgju nga gjumi dhe keni me kuptu që i keni humbë krejt çka ju ka ofru populli. E pse? Për budallaki”, ka shkruar ai.

Në fund, analisti e ka zgjeruar kritikën përtej një partie, duke e cilësuar krizën institucionale si dëm për vetë shtetin e Kosovës dhe për një projekt politik e shtetëror të ndërtuar ndër vite me sakrifica dhe me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare.

Lexo edhe:  Vdes në moshë të re infermierja Safete Fetinci, punonte në spital

“Se budallë është ai që i bën dëm tjetrit, por edhe vetes. E në këtë rast, edhe krejt një shteti… dëm për krejt një projekt historik të shtetit të Kosovës, që u ndërtu e u zhvillu me shumë sakrifica e me një ‘magji’ të përkrahjes së SHBA-së e BE-së”, ka përfunduar Muharremi.