Momenti tmerri në Rahovec: Hajni tenton t’i vras 3 qytetarë, s’arriti t’ua grabis paratë
Një rast i rëndë i tentativës për grabitje, i shoqëruar me të shtëna me armë zjarri, është raportuar mbrëmjen e së dielës në Rahovec.
Sipas informacionit të Policisë, tre burra kanë njoftuar se, derisa po lëviznin me veturë, kanë hasur në një pengesë të vendosur në rrugë.
Pasi kanë ndaluar dhe kanë dalë nga automjeti për ta larguar pengesën, një person i maskuar dhe i armatosur me armë të gjatë u është afruar duke i kërcënuar dhe duke u kërkuar para.
“Tre meshkuj kosovarë kanë njoftuar policinë se derisa kanë qenë duke lëvizur me veturë kanë vërejtur një pengesë në rrugë. Pasi kanë dalë nga vetura për ta larguar pengesën një person i maskuar, i armatosur me armë të gjatë ju është drejtuar viktimave duke i kërcënuar dhe ka kërkuar para”, thuhet në raport.Bazuar në të dhënat e policisë, viktimat kanë refuzuar kërkesën e të dyshuarit, janë rikthyer në veturë dhe kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes. Në ato momente, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit.
“Viktimat kanë refuzuar dhe kanë hyrë në veturë dhe pasi kanë filluar lëvizjen, në drejtim të veturës së tyre i dyshuari ka shtënë me armë ku e ka qëlluar veturën (rrotën e pasme)”.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me vendim të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit janë duke vazhduar.

