Ministria pagoi 43 mijë euro për punë të pakryera në Autostradën e Gjilanit
Ministria e Infrastrukturës realizoi pagesa në vlerë rreth 43 mijë euro për punime të cilat operatorët privatë nuk i realizuan në terren gjatë punimeve për Autostradën e Gjilanit, ka gjetur Auditori Gjeneral.
Sipas raportit të auditimit të Ministrisë së Infrastrukturës për vitin 2025, Ministria pagoi kompaninë “Joos Krasniqi & Pevlaku”, e cila është fituese e pjesës së tetë të tenderit për ndërtimin e autostradës, për 71 kapakë metalikë të cilët nuk ishin vendosur fare.
“Gjatë verifikimit është konstatuar se disa pozicione janë përfshirë në situacion për pagesë, ndonëse nuk janë realizuar/kompletuar në terren”, sipas raportit të auditimit financiar të MI-së.
39 mijë euro janë paguar për një pozicion, ndonëse punimet në terren nuk kanë përfunduar.
“Mungojnë kapakët metalikë – 71 copë”, thuhet në raport, raporton Paparaci.
Katër mijë euro të tjera janë paguar për 15 copështylla metalike të ndriçimit, edhe pse ato nuk ishin vendosur, bazuar në raportin e Auditorit Gjeneral.
Auditori ka konstatuar se punimet për Autostradën e Gjilanit, segmenti Banullë – Bresalc, janë vonuar gati gjashë vjet. Punimet për këtë segment të autoudhës ishin planifikuar të përfundonin në fund të vitit 2020.
“Kontrata për ndërtimin e Autoudhës A7.1 – Kryqëzimi me disnivel A6/A7.1 Banullë – Dheu i Bardhë” e nënshkruar më 13.02.2018 në vlerë prej 11,913,157 euro dhe po të njëjtën ditë kanë filluar punimet me një afat për përfundimin e punimeve 30 muaj nga fillimi i punimeve”, thuhet në raport.
“Megjithatë, deri gjatë kohës sa ne ishim në auditim (mars 2026) punimet nuk kanë përfunduar ende”, konstatoi Auditori Gjeneral.
Sipas Auditorit të Përgjithshëm, në vonesat e punimeve kanë ndikuar edhe kushtet e pafavorshme atmosferike gjatë periudhës së realizimit.

