30 mijë euro gjobë për kompaninë e ndërtimit pasi u shemb rruga
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditura vendimet më të fundit lidhur me vendpunishten e shembur në rrugën “Don Shtjefën Kurti” disa ditë më parë.
Ai njoftoi se, për shkak se investitori nuk e ka respektuar vendimin për mbushjen e gropës në llamellat 4 dhe 5, është iniciuar procedurë kundërvajtëse dhe janë shqiptuar gjoba.
Sipas njoftimit, kompania “Klub Invest” është gjobitur me 30 mijë euro, ndërsa përfaqësuesi ligjor me 3 mijë euro.
“Deri më sot nuk janë prezantuar vendimet e inxhinierëve mbikëqyrës, prandaj kërkojmë nga Oda e Inxhinierëve inicimin e procedurave për tërheqjen e licencave të inxhinierëve mbikëqyrës!”, deklaroi Rama.

