Nafta në Kosovë vetëm rritet: Qytetarët të goditur, institucionet pa veprime konkrete

Rënia e çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare, pas armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, nuk është reflektuar në Kosovë. Përkundrazi, çmimet po vazhdojnë të rriten dita-ditës.

 

Çmimi i naftës në Kosovë duket se nuk ka ndërmend të bjerë. Vetëm brenda një dite, ai është rritur nga 1.89 euro në 1.91 euro për litër, duke rënduar edhe më shumë barrën mbi qytetarët dhe bizneset, në një kohë kur në tregjet ndërkombëtare ka pasur luhatje dhe madje rënie të përkohshme të çmimeve.

Qytetarët po e përshkruajnë situatën si të papërballueshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet.

“Çmim që s’e përballon kërkush, është dashur masa… ne jemi vend i vogël e i varfër ekonomikisht, të lodhur, s’po përballojmë. Na ka dëmtu, po ecim këmbë, veturat i kemi lanë në shtëpi… më shtrenjtë se në Kosovë s’e di ku është”, thotë një qytetar.

“Duhet me marrë masa qeveria se na ka dëmtu”, shton një tjetër.

Madje, një biznesmen paralajmëron falimentim si pasojë direkte e çmimit të lartë të derivateve.

Problemi bëhet edhe më i theksuar kur krahasohet me rajonin. Në Shqipëri, çmimi i naftës ka rënë nga 2.29 euro në 2.19 euro për litër, ndërsa në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë rreth 1.9 euro. Në Kosovë, megjithatë, çmimi mbetet i lartë dhe pa reflektuar rëniet në tregjet globale.

Sipas njohësit të ekonomisë Lulzim Beqiri, kjo situatë po shfrytëzohet nga tregtarët, ndërsa institucionet po qëndrojnë pasive.

 

“Kjo është një abuzim me marrëveshjet për çmimet tavan dhe kjo e dëmton jashtëzakonisht shumë qytetarët… institucionet do të duhej të merrnin masa”, thekson ai.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës arsyetohet se ulja e akcizës dhe TVSH-së do të krijonte një boshllëk financiar prej rreth 10 milionë euro në muaj për buxhetin e shtetit. Por, sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, mungon vullneti politik për të ndërhyrë.

Lexo edhe:  Vdes rapsodi dhe atdhetari i njohur nga Skenderaji

Ai thotë se ekzistojnë mekanizma për të kontrolluar tregun dhe për të lehtësuar barrën ndaj qytetarëve pa rrezikuar mbledhjen e të hyrave.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se pasojat më të mëdha ende nuk janë ndjerë. Ekonomisti Pëllumb Çollaku vlerëson se efekti zinxhir i shtrenjtimit të naftës do të godasë fuqishëm në muajt në vijim, sidomos në sektorin e ushqimit.

Sipas tij, rritja e çmimit të naftës ka ndikuar direkt në rritjen e çmimit të plehrave artificiale, të cilat tashmë janë shtrenjtuar mbi 50% në tregjet ndërkombëtare. Kjo pritet të reflektohet në një valë të re shtrenjtimi të produkteve ushqimore në vjeshtën e vonë.

 

“Rreth 90 për qind e produkteve kanë lidhje direkte ose indirekte me naftën… pritet një shok inflacioni në çmimet e ushqimeve”, paralajmëron Çollaku, duke shtuar se edhe nëse çmimet e naftës bien, dëmi tashmë është bërë pasi shumica e mbjelljeve janë kryer.

Situata bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh se Kosova tashmë përballet me inflacion të lartë të ushqimeve dhe është ndër vendet me rritjen më të madhe të çmimeve në Evropë, menjëherë pas Turqisë. Rreth 60 për qind e të ardhurave të familjeve kosovare shkojnë për ushqim, duke e bërë këtë krizë edhe më të rëndë për standardin e jetesës.

Përkundër kësaj, masat konkrete nga institucionet mungojnë. Përveç vendosjes së çmimeve tavan për derivate, nuk është ndërmarrë ndonjë hap tjetër për të mbrojtur qytetarët nga luhatjet e tregut. Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar ndërhyrje të mundshme në sektorin e transportit dhe bujqësisë, por pa detaje konkrete.

Ndikimi i faktorëve ndërkombëtarë vazhdon të jetë i madh. Çmimet e naftës filluan të rriten që nga fundi i shkurtit, kur SHBA dhe Izraeli hynë në konflikt me Iranin. Në kundërpërgjigje, Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike për rreth 20 për qind të furnizimit global me naftë. Edhe pas një armëpushimi të përkohshëm, tensionet vazhdojnë dhe tregjet mbeten të paqëndrueshme.

Lexo edhe:  E mitura në Mitrovicë sulmon fizikisht zyrtarin policor, shoqërohet në Polici