Rrjeti i fajdes në Prizren: 700 mijë euro dëm, Eduard Kuzhnini në pranga – Egzon Reshani në arrati edhe për tentim vrasje

Një skemë e rëndë e fajdes, detyrimit dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë është goditur në Prizren, në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.

Hetimet që kanë zgjatur për një periudhë të gjatë kohore, nga viti 2023 deri në vitin 2025, kanë çuar në identifikimin e një grupi prej pesë personash të dyshuar: Eduard Kuzhnini, Bruno Kuzhnini, Gjon Kuzhnini, Elson Kuzhnini dhe Egzon Reshani.

Sipas të dhënave hetimore, të dyshuarit në vazhdimësi kanë ushtruar presion, kërcënime dhe forma të ndryshme dhune ndaj viktimës, duke e detyruar atë të paguaj shuma të mëdha parash në emër të kamatave të fajdesë. Në raste të caktuara, viktima është privuar edhe nga liria, me qëllim të detyrimit për pagesë.

Dëmi financiar i shkaktuar deri më tani vlerësohet të jetë rreth 700 mijë euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450 mijë euro shtesë si interes.

Gjatë operacionit të realizuar më 16 mars 2026, me urdhër të Gjykatës janë kryer bastisje në pesë lokacione në Prizren.

Si rezultat, është arrestuar Eduard Kuzhnini, i cili tashmë ndodhet në ndalim 48 orësh, ndërsa katër të dyshuarit e tjerë janë në kërkim policor.

Ndërkohë, njëri nga personat në arrati, Egzon Reshani, rezulton të jetë i kërkuar edhe për një rast tjetër penal – tentim vrasje, çka e rëndon edhe më tej profilin kriminal të grupit.

Rasti është iniciuar për veprat penale: Fajdeja (neni 331), Privimi i kundërligjshëm i lirisë (neni 193), Detyrimi (neni 328) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hetimet janë duke vazhduar me intensitet për arrestimin e të dyshuarve të tjerë dhe dokumentimin e plotë të këtij rrjeti kriminal, që sipas burimeve nga strukturat e afërta me hetimin, konsiderohet ndër rastet më serioze të fajdes në rajonin e Prizrenit.

Lexo edhe:  Fjalosja pas një aksidenti në Suharekë rezulton me një të vrarë