Mërgimtari erdhi për pushime, por i çkyejti dy goma në hyrje të Mitrovicës – iu desh t’i blinte 1800 euro të rejat

Një mërgimtar nga Mannheim i Gjermanisë ka ngritur shqetësimin e tij pas një incidenti të ndodhur në hyrje të Mitrovicë, afër Hotel Palace, shkruan “Jepi zë”.

Sipas rrëfimit të tij, gjatë qëndrimit për pushime në Kosovë, automjeti i tij ka rënë në një gropë në rrugë, me ç’rast janë dëmtuar njëkohësisht dy gomat e djathta. Ai thotë se të dyja gomat janë çarë në të njëjtin vend, duke e bërë të pamundur vazhdimin e lëvizjes me veturë.

“Dy gomat e djathta m’u grisën në të njëjtën gropë. Isha në pushime në Kosovë, ndërsa vij nga Mannheim i Gjermanisë”, ka deklaruar ai për “Jepi zë”.

Si pasojë e dëmtimit, mërgimtari është detyruar të blejë katër goma të reja, për të cilat, sipas tij, ka paguar plot 1800 euro. Ai shprehet i zhgënjyer që, pavarësisht dëmit të konsiderueshëm financiar, askush nuk ka marrë përgjegjësi për gjendjen e rrugës.

“Kjo është shumë keq për ne. Kur vijmë në kufi paguajmë sigurim 20 euro në muaj për të shkelur rrugët e Kosovës, ndërsa për dëmet askush nuk përgjigjet”, ka theksuar ai.

Lexo edhe:  Ngritet aktakuzë ndaj nipit i cili vrau axhën në Malishevë