“Mobilizimi i ushtrisë serbe”, KFOR: Ndërhyjmë nëse rrezikohet stabiliteti

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, sot ka deklaruar se me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ushtria serbe është në gjendje gatishmërie për shkak të situatës në Kosovë.

E në lidhje me këtë çështje, KFOR-i ka bërë të ditur se është duke monitoruar situatën në veri të Kosovës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale nga Serbia.

Në një përgjigje për lajmi.net, KFOR ka deklaruar se është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, organizatave të Sigurisë së Kosovës dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë.

“KFOR-i vazhdon të kryejë çdo ditë misionin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në përgjigje.

Tutje, KFOR ka bërë të ditur se janë të përgatitur për të ndërhyrë në rast se rrezikohet stabiliteti në vend.

“Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitur për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes. Në përgjithësi, situata është stabile dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim në qëndrimin e forcave të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO”, kanë deklaruar nga KFOR-i për lajmi.net.

Në fund, KFOR ka deklaruar se palët duhet të shmangin veprimet dhe iniciativat e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim ose dhunë të panevojshme.

Kujtojmë se ndërkombëtarët kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës që afati për zëvendësimin e targave ilegale në Kosovë të shtyhet për 12 muaj, por që nga Qeveria kanë vendosur masa të reja rreth targave.

Lexo edhe:  Ngriten temperaturat: Ky është parashikimi i motit

Sipas vendimit të ri, duke nisur nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të ketë masa të qortimit, ndërsa nga 21 nëntori deri më 21 janar do të ketë masa të gjobitjes. Nga ajo datë, parashihet të ketë targa provuese deri më 21 prill, prej kur më nuk do të ketë targa ilegale fare në qarkullim.