Aksident i rëndë në Mitrovicë, vetura godet një 7-vjeçar – dërgohet me urgjencë në QKUK
Një fëmijë i lindur në vitin 2018 është goditur nga një veturë mbrëmjen e sotme në Zhabar të Mitrovicës, mëson portali “Jepi zë”.
Sipas konfirmimit të zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në segmentin rrugor në fshatin Zhabar.
“Rreth orës 18:00, në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në segmentin rrugor në fshatin Zhabar, ka ndodhur një aksident trafiku ku një veturë ka goditur një këmbësor të mitur. I lënduari është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa policia ka nisur hetimet lidhur me aksidentin,” ka deklaruar Zahiti për “Jepi zë”.
Ndërkohë, zëdhënësi i Spitalit të Mitrovicës, Shpend Fazliu, ka konfirmuar se fëmija është pranuar në Shërbimin Emergjent dhe i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore.
“Ju konfirmojmë se në ora 18:07, si pasojë e një aksidenti, në Shërbimin Emergjent ndihma mjekësore emergjente i është dhënë një fëmije të lindur në vitin 2018. Pas ekzaminimeve të nevojshme, përfshirë Tomografinë e Kompjuterizuar (CT e kokës), është referuar për në QKUK, tek specialistët e neurokirurgjisë. Për momentin është jashtë rrezikut për jetë, por nën monitorim deri në përcjellje për QKUK,” thuhet në konfirmimin e Fazliut për “Jepi zë”.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa “Jepi zë” do të sjellë informata shtesë sapo të ketë zhvillime të reja.

