Hamiti nga Abu Dhabi: 25 milionë euro donacion për spitalin e ri të gjinekologjisë në Prishtinë, 7.5 milionë për rinovimin e spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri

Një lajm i rëndësishëm ka ardhur nga Abu Dhabi, ku ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, është takuar me Shkëlqesinë e Saj, Dr. Noura Al-Gauthi, Zëvendëssekretaren e Departamentit të Shëndetësisë të Abu Dhabit.

Gjatë takimit, ambasadori Hamiti u informua për fillimin e përgatitjeve për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë, një projekt i mbështetur nga një donacion prej 25 milionë euro, të dhënë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, shkruan Jepi zë.

Ky donacion është një pjesë e angazhimit të Emirateve të Bashkuara Arabe për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë. Për më tepër, gjatë këtij viti, Departamenti i Shëndetësisë i Abu Dhabit ka planifikuar rinovimin dhe pajisjen me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri, në vlerë prej 7.5 milionë euro.

Në përmbyllje të takimit, ambasadori Hamiti shprehu falënderimet më të sinqerta në emër të shtetit dhe popullit të Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme dhe për kontributet e çmuara që Emiratet e Bashkuara Arabe dhe populli i tyre po japin në avancimin e kushteve të shëndetësisë në Republikën e Kosovës.

Lexo edhe:  Gjendet një trup i pajetë në Prishtinë