Kosova në ‘kaos’ energjetik: Pas paralajmërimit të KOSTT, nisin reduktimet

Operatori për Transmisionin e Energjisë (KOSTT), dje paralajmëroi se Kosova rrezikon të futet në një kaos energjetik.

Dhe kjo po ndodh.

Nacionale ka pranuar informacione nga lagje të ndryshme në Prishtinë, por edhe në komuna tjera të Kosovës, se tashmë kanë nisur reduktimet e rrymës.

Madje, në disa prej zonave, qytetarët e përdorin rrymën për ngrohje, dhe në dimrin e ftohtë, nuk dihet se çfarë zgjidhje do të bëjnë.

Situata pritet të jetë e njëjtë për sot gjithë ditën.

“Njoftojmë opinionin publik se, si rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit, sot (13 janar 2026) dhe nesër (14 janar 2026), Zona e Kontrollit e KOSTT-it është duke operuar me jo balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 MË. KOSTT, në përputhje me rolin e tij si operator i sistemit dhe i tregut, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit si dhe organizimin e ankandeve brendaditore për balancimin e sistemit. Megjithatë, për shkak të diferencës jashtëzakonisht të madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real, masat e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo balancat në nivelin e krijuar”, thuhet në njoftim.

KOSTT është zotuar se sapo të balancohet situata, do të punojnë për stabilizim të sistemit.

“Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E. Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, KOSTT është i detyruar të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative. Me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit, KOSTT do të ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për stabilizim të sistemit”, ka shkruar KOSTT.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë trafiku në Gjakovë

Në anën tjetër, dje është raportuar se blloku B1 në KEK ka rënë, por që nuk pati asgjë të konfirmuar.