Aksident mes dy veturave të EULEX-it në Zveçan – një pjesëtar pëson lëndime, dy Land Cruiser përfshihen në përplasje

Një aksident trafiku me lëndime trupore është regjistruar paraditen e së martes në Zveçan, ku janë përfshirë dy automjete zyrtare të misionit EULEX.

Ngjarja ka ndodhur më 22 dhjetor 2025, rreth orës 09:00, në rrugën lokale pranë restorantit “Hajduçki Konak”.

Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, në aksident janë përfshirë dy vetura Toyota Land Cruiser, të dyja në shërbim të EULEX-it – njëra me ngjyrë të kaltër dhe tjetra me ngjyrë hiri.

Burimet bëjnë të ditur se deri te aksidenti ka ardhur pasi automjeti i parë, gjatë lëvizjes, nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, ku kishte ngricë, duke humbur kontrollin dhe duke dalë jashtë rrugës. Në ato momente, automjeti i dytë që lëvizte prapa e ka goditur atë nga pjesa e pasme.

Si pasojë e përplasjes, janë shkaktuar dëme të vogla materiale, ndërsa lëndime trupore ka pësuar një pasagjer i automjetit të dytë, pjesëtar i misionit EULEX.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti i trafikut rrugor, njësiti i sigurimit të EULEX-it, si dhe ndihma e shpejtë. Rasti është duke u hetuar nga autoritetet kompetente.

Lexo edhe:  Priu në shumë sondazhe si favoriti për të fituar çmimin por u eliminua i pari – a e ndëshkoi produksioni Meritonin?