Përleshje mes nxënëseve në gjimnazin Cambridge, shkolla merr masa të rrepta ndaj personave të përfshirë në incident

Një përleshje mes disa nxënësve ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në gjimnazin Cmbridge School në Pejë, ku sipas informacioneve të para një nxënës ka mbetur i lënduar. Burimet nga Emergjenca e Spitalit Rajonal të Pejës kanë bërë të ditur për Sinjalin se dje një nxënës ka kërkuar ndihmë mjekësore si rezultat i lëndimeve të lehta trupore dhe pas trajtimit është liruar nga spitali, pasi nuk ka pasur lëndime serioze.

Ndërkohë të kontaktuar nga Sinjali, zyrtari përgjegjës i gjimnazit Cambridge ka konfirmuar incidentin dhe ka bërë të ditur se nxënësit e përfshirë në këtë rast janë larguar nga shkolla.

“Po, është e vërtetë se dje në mëngjes ka ndodhur një incident në mes të dy nxënësve të shkollës tonë. Përgjegjësit e shkollës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i ofruar trajtimin mjekësor nxënësit të lënduar dhe ngushtësisht kanë bashkëpunuar edhe me Policinë, për t’i pasuruar sa më saktë rrethanat e incidentit dhe ofruar provat e nevojshme që do të shërbejnë për më tutje në hetim.

Po ashtu, në përputhje me aktet e brendshme të shkollës dhe marrëveshjet me nxënës dhe prindër, shkolla tashmë ka marrë vendim për largimin e nxënësve të përfshirë në incident dhe për këtë tashmë janë të informuar edhe familjarët e tyre. Sigurojmë secilin qytetar se në shkollën tonë aktivitetet e kundërligjshme nuk tolerohen dhe kushdo që prish rendin dhe qetësinë apo përfshihen në sjellje të pahijshme, përballet me masat disiplinore që parashihen me rregullore të shkollës.”, tha zyrtari i shkollës

Lexo edhe:  Alarmon gazetari/ Në marketin “Viva Fresh” bleva një bukë e cila ishte e mykur