Dëmtohen vagonët e sapo-riparuar të trenit, “Trainkos” kërkon hetim të organeve të rendit

Dëmtimet dhe sulmet ndaj vagonëve të trenit në vendin tonë janë goxha të shpeshta.

Një rast i njëjtë ka ndodhur po ashtu së fundi në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit ku vagonët e sapo-riparuar janë dëmtuar ditën e sotme.

“Trainkos” ka reaguar pas rastit, ku ka kërkuar nga organet kompetente hetim të plotë dhe ndëshkim të përgjegjësve.

“Trainkos” thotë se që nga fillimi i projektit dëmet janë shumë të mëdha.

“Që nga fillimi i këtij projekti në vitin 2019, dëmet ndaj ndërmarrjes janë të mëdha:humbje financiare që tejkalojnë 10 milionë euro, humbje të klientelës dhe të imazhit, zhvendosje të konsiderueshme të klientëve nga transporti hekurudhor në atë rrugor”.

 

Në njoftim shtojnë se rikuperimi i plotë do të kërkojë vite.

 

“Këto pasoja do të vazhdojnë të ndihen për një periudhë të gjatë dhe rikuperimi i plotë do të kërkojë vite. Ky akt vandal është dëm i drejtpërdrejtë ndaj pronës publike dhe ndaj përpjekjeve tona për modernizimin dhe përmirësim të shërbimeve të transportit hekurudhor”, thuhet në reagimin e “Trainkos”.

Sipas tyre, vagonët janë riparuar me një investim prej 423,000 euro, nga buxheti i Republikës së Kosovës, dhe ende pa u vënë në operim janë dëmtuar sërish.

Aktualisht, “Trainkos” thotë se transportimi i pesë vagonëve është i pamundur, pasi linja Fushë Kosovë – Hani i Elezit mbetet e mbyllur.

Lexo edhe:  Shifra të frikshme: Rreth 60% e kosovarëve duan të largohen nga vendi i tyre