Dardanët optimistë për ndeshjen me Slloveninë: Hyjmë në fushë për fitore, do të shkojmë për tre pikë

Kombëtarja e Kosovës është në përgatitje të plotë për ndeshjen e parë vendimtare të këtij muaji kundër Sllovenisë, e cila do të luhet të shtunën në stadiumin “Stozice” në Lubjanë.

Në seancën e fundit stërvitore, përzgjedhësi Franco Foda ka theksuar aspektet taktike, ndërsa lajmi më i mirë është se të gjithë lojtarët janë në formë të shkëlqyer dhe të gatshëm për lojë.

Atmosfera brenda ekipit është shumë pozitive dhe të gjithë shpresojnë për një rezultat të mirë që do t’i sigurojë Kosovës vendin në ‘play-off’, duke e mbajtur gjithashtu në garë për kualifikim direkt.

Mbrotësit Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni kanë shprehur optimizëm. Ata e vlerësuan Slloveninë si një kundërshtar të fortë, por theksuan se Kosova do të hyjë në ndeshje vetëm për fitore.

“Grupi është gati, e dimë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe do të luajmë si në finale. Do të shkojmë për tri pikë, sepse ne hyjmë në fushë për fitore,” tha Vojvoda.

Gallapeni, nga ana tjetër, e konsideroi ndeshjen jetike për Kosovën.

“Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme. Nëse fitojmë, do të bëjmë histori për vendin tonë. Sllovenia është kompakte, por ne do të shkojmë gjithashtu për tri pikë,” tha Gallapeni.

Lexo edhe:  Digjet një shtëpi në fshatin Bajsk të Vushtrrisë, zjarrfikësit lokalizojnë zjarrin