Pas 9 vitesh në kërkim, arrestohet në Mitrovicë Branko Jovanoviq – i dyshuari për vjedhje të rënda të automjeteve në Prishtinë
Një prej personave të kërkuar prej vitesh për vjedhje të rënda të automjeteve në Prishtinë është arrestuar dje nga Policia e Kosovës. Bëhet fjalë për Branko Jovanoviq, i cili ishte në kërkim policor që nga viti 2017.
Si ka nisur rasti?
Sipas burimeve të Sinjalit, më 15.03.2017, Njësia e Hetimeve të Përgjithshme – DRP Prishtinë – ka ngritur disa kallëzime penale në Prokurorinë Themelore ndaj Jovanovićit, me dyshimin se kishte kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë” (neni 327 i Kodit të vjetër Penal të Kosovës).
Rasti lidhej me vjedhjen e disa automjeteve të markës Toyota në zonën e Bregut të Diellit dhe afër një qendre tregtare.
Për shkak se i dyshuari nuk ishte gjetur dhe dyshohej se fshihej, ndaj tij ishte lëshuar kërkim policor në mungesë, i cili ka qenë aktiv për vite me radhë.
Kur ndodhi arrestimi?
Më 06.11.2025, Njësia e Hetimeve të Përgjithshme – Veriu në Mitrovicë ka arritur ta arrestojë Branko Jovanoviqin, i cili po lëvizte në atë zonë.
Pas arrestimit, ai është shoqëruar në Prishtinë nga hetuesit e auto-krimeve, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Çka vendosi prokurori?
Pas marrjes në pyetje, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është liruar në procedurë të rregullt, çka nënkupton se rasti vazhdon të hetohet më tej nga organet e drejtësisë, pa masë ndalimi.
Sfondi i ngjarjes
Rasti është i lidhur me një seri vjedhjesh të automjeteve në vitet 2016–2017, ku viktimë në njërën nga rastet kishte qenë N.L (1977). Hetimet atëbotë kishin çuar në identifikimin e Jovanovićit, por mungesa e tij fizike kishte pamundësuar procedimin.
Hetimet janë në vazhdim.
Sinjali do të sjellë informacione të tjera sapo të sigurohen.

