“Fyerje e rëndë ndaj viktimave të luftës”, krahasimi i Bashës së rastit Dehari me periudhën e Milloshit
Krahasoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me “trafikantë droge”.
E sot relativizoi vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit me rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Kështu veproi kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
Sot në ditën që bëhen nëntë vjet nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, për herë të parë, Dimal Basha si kryekuvendar mori pjesë në homazhet tek varri i tij, bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe përfaqësues të VV-së.
Para mediave, Basha tha: “Një njeri shembullor, një aktivist i pashoq që na tregon se duhet të vazhdojmë rrugën e tij, kundër padrejtësisë që bëhet në këtë vend. Duhet ta kuptoni që edhe në kohën e Jugosllavisë, regjimi fashist ka saju aktakuza kur i kanë majtë njerëzit në burg. Astrit Deharin e kanë mbajtë në burg 67 ditë, pa aktakuzë pa kurgjo. Kjo është një prej akteve më të rënda në Kosovën e pas lufës. Pra, ju e dini që lufta, beteja më e madhe e popullit tonë është bërë për liri dhe drejtësi. Nuk e ka pritë kurrkush që na me e vujtë ma keq se që kanë vuajtë shqiptarët në regjimin e Millosheviqit”.
Pikërisht ky krahasim u cilësua si fyerje dhe relativizim i krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në vitet ’90 ku u përballën me masakra, dhunime, dëbime masive dhe terror shtetëror të strukturuar.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, reagoi duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Bashës.
“Të krahasosh një rast tragjik individual me terrorin shtetëror, masakrat, dhunimet dhe dëbimet që Serbia e Millosheviqi ushtruan mbi mijëra shqiptarë, është fyerje e rëndë ndaj kujtimit të viktimave”, shkroi Musliu në Facebook.
Këtë deklarim të kryeparlamentarit e quajti skandal të radhës, dikush që tash e 26 vite udhëheq zërin e atyre që lufta ua mori familjarët.
“Të thuash ma rand se në kohën e Millosheviqit kur dihen masakrat, vrasjet e grave, pleqve, fmive… ky duhet ta dijë që në luftë nga kasapi e nga Serbia janë vrarë mbi 1000 fëmijë, mbi 500 masakra nëpër komunat e Kosovës, mendoj që është fyerje e rëndë dhe nuk do të lejohet një gjë e tillë”, tha për Klan Kosova Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve.
Dikush tjetër konsideron se nuk ka qenë as vendi i duhur për një fjalim të tillë, por që nuk çuditet për të.
“Duhet me kuptu se edhe si kryeparlamentar tash, por edhe si individ, nuk ka hjek sen prej Millosheviqit, se s’ka qenë në Kosovë hiç, edhe s’e din se e ka gjetë të çlirume edhe s’e din çka është sakrifica për vendin e vet”, tha për Klan Kosova Rafet Llapashtica nga OVL-UÇK në Podujevë.
Basha kishte nxitur reagime edhe më herët, duke qenë bashëkautor i një punimi ndërkombëtar që Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kishte lidhur me botën e drogës dhe të krimit. Andaj, po kërkohet dorëheqja e tij.
‘’Edhe pas punimit shkencor ka fyer luftën e UÇK-së dhe ne si organizata të dala nga lufta kemi kërku dorëheqjen e tij dhe tani kemi arsye edhe ma shumë me kërku”, tha më tej Jashari.
Nga përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta u tha se gjithmonë kanë kërkuar zbardhen e rastit rreth vdekjes së aktivistit Dehari, por kërkojnë nga institucionet të merren edhe me persona që fyejnë të kaluarën e përvujatur të Kosovës.
Reagime pati nëpër rrjetet sociale edhe nga opinionistë, analistë, por edhe nga qytetarë të thjeshtë.

