E dhimbshme: Humb jetën Nezir Neziri pas aksidentit me traktor në Skenderaj

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Krasmirofc të Skenderajt, ku si pasojë e një vetaksidenti me traktor ka humbur jetën një person.

Viktima është identifikuar si Nezir Neziri, i cili, sipas informacioneve të para, ka pësuar lëndime të rënda gjatë aksidentit dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë atyre.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur edhe bashkëfshatarët nga Krasmirofci, të cilët kanë shprehur dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për humbjen e Nezirit, duke e përshkruar atë si një njeri punëtor, bujar dhe të respektuar në komunitet.

“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë njoftojmë se sot, më 12 tetor 2025, ndërroi jetë Nezir Neziri – punëtori më i madh që e njeh historia e fshatit tonë, vëzhgues gjatë luftës që na ka shpëtuar shumë herë nga ushtria serbe, strehues i madh i refugjatëve të luftës dhe njeri i zemrës së madhe, që kurrë nuk e ka kthyer askënd duarbosh”, thuhet në njoftimin e bashkëfshatarëve.

Familjes Neziri i janë shprehur ngushëllime të shumta nga të afërm, miq dhe bashkëfshatarë, ndërsa organet kompetente janë duke e hetuar rastin për të sqaruar rrethanat e aksidentit tragjik.

Lexo edhe:  Grabitje në barnatoren ‘Trimi Pharm’ në Ferizaj, nën kërcënimin e thikës hajni kap rreth 500 euro