Shqetësuese: Nxënësi 13 vjeç kapet me armë zjarri në një shkollë të Kosovës

Siguria në shkolla konsiderohet se po cenohet edhe nga përdorimi i armëve të ndryshme nga nxënësit, shqetësim ky që ka alarmuar edhe prindërit.

Një nxënësi në shkollën fillore ”Gjon Serreçi”, dyshohet t’i jetë gjetur në ambientet e mësimit, armë zjarri.

Lexues të klankosova.tv, prindër të fëmijëve vijues mësimor të kësaj shkolle kanë rrëfyer momentet kritike.

”I kam pa vetë ata që punojnë, kam biseduar me një arsimtare, ajo kish menduar që është lodër”, u shpreh një prind me shqetësim në kushte anonimiteti për klankosova.tv.

”Pastaj i ka dalë që është armë zjarri, e nuk e di ku po jetojmë”, vazhdoi tutje.

Pyetur tutje mbi detajet dhe për sigurinë e kësaj situate, shtonte:

”Unë jam kanë aty vet edhe i kam pa policinë aty”.

Nxënësi të cilit dyshohet t’i jetë gjetur armë zjarri dhe konfiskuar më pas nga policia, mësohet të jetë i klasës së 8-të.

Në lidhje me këtë rast, policia tha se bëhet fjalë për një 13-vjeçar, të cilit i është gjetur arma pa fishekë, e cila ishte në pronësi të prindit të nxënësit.

Për Klankosova.tv, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli tha se i mituri, për shkak të moshës, nuk është intervistuar, në përputhje me ligjin.

“Rreth orës 12:30, njësiti i planit operativ “Siguria në shkolla” nga stacioni policor i Ferizajt është njoftuar se në një shkollë në Ferizaj, një nxënës i mitur, 13-vjeçar, ishte parë me një armë zjarri në hapësirat e shkollës.Policia ka reaguar menjëherë dhe gjatë kontrollit ka gjetur armën (pistoletë)pa fishekë”.

“Arma ishte në pronësi të prindit të nxënësit, që  posedonte leje të rregullt për mbajtje të armës. Arma e zjarrit dhe municioni janë konfiskuar nga prindi me proces të rregullt policor”.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditët në vijim

“I mituri, për shkak të moshës, nuk është intervistuar, në përputhje me ligjin. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit – Departamenti për të Mitur, i cili ka iniciuar shënim zyrtar, nën kompetencë të prokurorit për veprime tjera”, thuhet tutje në konfirmim.