Marko Gjuriqit i djeg largimi i mbishkrimit në çirilicë në Mitrovicë te Veriut
Shefi i diplomacisë serbe Marko Gjuriq deklaroi sot se heqja e një mbishkrimi me shkronja cirilike në Mitrovicë është “një provokim i qëllimshëm dhe nuk është aspak një akt administrativ neutral.”
Gjuriq në rrjetin social X e quajti këtë veprim “një akt të hapur të mos-tolerancës.”
“Ky vendim është thellësisht jodemokratik, kundër vullnetit të komunitetit lokal, në kundërshtim me parimet e multi-kulturës, tolerancës dhe respektit për diversitetin”, deklaroi Gjuriq.
Ai tha se “Prishtina nuk respekton sundimin e ligjit” dhe u bëri thirrje ndërkombëtarëve të reagojë.
Sot në Mitrovicën e Veriut është hequr tabela “Kosovska Mitrovica” me mbishkrim cirilik. Në vend të saj, autoritetet komunale kanë marrë vendim që të vendoset tabela me emërtimin shqip të Mitrovicës.