“Një zë për çlirimtarët”, veteranët e UÇK-së protestojnë edhe në Tiranë
Kryetari i Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati, në një konferencë për media të mbajtur në Tiranë, ka njoftuar se protesta e radhës në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të mbahet pikërisht në kryeqytetin shqiptar, pas atyre të mbajtur në Prishtinë dhe Hagë.
Kjo protestë do të mbahet në sheshin ‘Skënderbej’ më 17 tetor, me fillim nga ora 17:00, me moton “Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë”.
“Arsyeja tashmë është e qartë. Padrejtësia që po ushtrohet nga Gjykata Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne, bashkëluftëtarët dhe kategoritë e dala nga lufta shprehim mirënjohje të përhershme për shtetin shqiptar, për përkrahjen dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj kësaj çështje madhore kombëtare. Mesazhi ynë është i qartë: Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë që po iu bëhet atyre”, deklaroi Gucati në këtë konferencë transmeton Klankosova.tv.
“Prandaj sot, nga kjo tryezë, iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e veprojnë, partive politike shqiptare, sidomos në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni: bashkohuni me ne në këtë protestë paqësore në Tiranë. Kjo nuk është çështje e disa individëve, por çështje dinjiteti, sakrifice dhe e së vërtetës sonë historike. Le të ngrihemi të gjithë si një zë i vetëm për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët tanë dhe për t’iu kundërvënë padrejtësisë. Ju mirëpresim të gjithëve në Tiranë”, theksoi ai.
““Ne jemi shqiptarë dhe na bashkon një gjuhë e një flamur. Ai flamur është flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në sheshin ‘Skënderbej’, më 17 tetor nga ora 17:00, bashkohemi të gjithë të protestojmë kundër padrejtësisë që po bëhet në Hagë”, tha Gucati.