Gjendet i vdekur roja i ujësjellësit në Podujevë, pranë tij armë AK-47

Një rast i rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Podujevë, ku një person është gjetur i pajetë në vendin e tij të punës, me plagë të dyshuara nga arma e zjarrit.

Gazeta Sinjali mëson se rasti ka ndodh rreth orës 08:20, në rrugën “Hakif Sheholli”, në afërsi të ujësjellësit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë reaguese, hetimet, forenzika dhe patrullat policore, të cilat kanë hasur viktimën Bejtush Hoxha, i cili punonte si roje në ujësjellës. Ai është gjetur në pozitë ulur, ndërsa në regjionin e kokës vëreheshin plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Pranë trupit të viktimës është gjetur një armë automatike AK-47, si dhe shtatë gëzhoja të së njëjtës armë. Në vendin e ngjarjes ka dalë mjeku kujdestar, i cili ka konstatuar vdekjen, ndërsa NJHP-ja, Forenzika Rajonale dhe IML kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Si prova materiale janë sekuestruar: një pushkë automatike AK-47 (pa numër serik), një karikator, pesë fishekë dhe shtatë gëzhoja. Trupi i pajetë është tërhequr nga IML për obduksion.

Me autorizim të Prokurores kujdestare të Departamentit për Krime të Rënda, rasti është iniciuar si “Trup i pajetë – Hetim mbi vdekjen”, ndërsa hetimet do të vazhdojnë nga NJHP-ja.

Lexo edhe:  Serbia nuk i liron 3 policët, caktohet masa e paraburgimit