Prokuroria kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Thaçit

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke argumentuar se ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer vepra penale që bien nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).

Kërkesa është dorëzuar më 22 shtator, ku prokuroria është mbështetur edhe në vendimin për konfirmimin e aktakuzës.

“Thaçi paraqet një rrezik jashtëzakonisht të lartë për të penguar procedurat në këtë proces, dhe përfundimi i çështjes nga Prokuroria dhe mbrojtësit e viktimave nuk e eliminon këtë rrezik”, thuhet në kërkesë.

Sipas prokurorisë, dëshmitarët vazhdojnë të mbeten të rrezikuar edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre, përmes përpjekjeve për hakmarrje, nxitjes për të tërhequr dëshmitë ose ndërhyrjeve në procedura paralele.

“Për më tepër, klima e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë vazhdon, të cilën Gjykata e Apelit e ka pranuar si një ‘rrethanë kontekstuale’ të rëndësishme”, thuhet më tej.

Në kërkesë përmendet edhe se “gjetje të ngjashme janë bërë në aktgjykimin ndaj Mustafës dhe në aktgjykimin e Apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj. Paneli gjyqësor në rastin Gucati dhe Haradinaj konsideroi se ‘mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje aktive dhe kritike në Kosovë’”.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Lexo edhe:  Një person i shtrirë në tokë pa shenja jete, Policia bllokon rrugën “Ushin Kovaçica” në Vushtrri